Më shumë se 500 biznese që operojnë në Kosovë nuk e kanë regjistruar emrin e pronarit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Ky fakt, që është nxjerrë nga të dhënat e platformës ‘Bizneset e Hapura’ të organizatës Open Data Kosovo, gjithashtu vë në pah faktin që nga këto biznese, 458 prej tyre vazhdojnë të jenë ende aktive, pra janë biznese që janë të regjistruara si aktive, por nuk e kanë përfshirë emrin e pronarit në aplikacionin për regjistrimin e biznesit në ARBK.

Procedura e regjistrimit të biznesit është proces i detyrueshëm me Ligjin për Shoqëritë Tregtare 06/L-016, të miratuar në maj të vitit 2018.

Sipas këtij ligji, të gjithë operatorët biznesorë janë të obliguar me ligj të paraqesin në aplikacion për regjistrim të dhënat si emri i biznesit, emri i pronarit dhe e personave të autorizuar.

Gjithashtu, subjektet që aplikojnë për regjistrim janë të obliguara të specifikojnë llojin e biznesit, të cilët mund të kategorizohen në biznes individual, ortakëri e përgjithshme, ortakëri e kufizuar, shoqëri (me përgjegjësi të kufizuara, shoqëri aksionare, e huaj tregtare), ndërmarrje – të cilat ndahen në shoqërore dhe publike – si dhe kooperativë bujqësore.

Banka Botërore, përmes Raportit vjetor të të bërit biznes, vlerësoi që Kosova kishte shënuar përparim në lehtësimin e procedurave dhe legjislacionit për të bërë biznes gjatë vitit 2018

Krahasuar me vendin e 60-të sa ka qenë në vitin 2017, Kosova u ngrit në vendin e 40-të nga 190 vende, një rritje prej 20 vendesh krahasuar me vitin paraprak. Kosova radhitet e 10-ta në regjistrimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve me pjesëmarrje të vogël, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës, vlerëson raporti.

Megjithatë, përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të mendojnë që ka ende shumë hapësirë për përmirësim dhe që, pavarësisht që vendi ka shënuar përparim në këtë raport, duhet ende punë në mënyrë që ndërmarrësit të mos përballen me vështirësi në veprimtarinë e tyre.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve ofron edhe mundësinë që ndërmarrësit të regjistrojnë bizneset edhe përmes pikave onestop shop, të cilat veprojnë edhe nëpër komuna të tjera të Kosovës, përveç në Prishtinë dhe janë treguar metodë efektive për të shmangur pritjet dhe radhët e gjata në ambientet e ARBK-së në Prishtinë.

Ky artikull është prodhuar për Gazetën "Metro", ku edhe është publikuar fillimisht. Ripublikimi i këtij artikulli është bërë me lejen e Gazetës "Metro".

ARTIKULLI I PLOTË: https://gazetametro.net/500-biznese-pa-emra-pronaresh-ne-arbk/