A keni menduar ndonjëherë cilat janë Top 10 bizneset më të mëdha dhe me kapitalin më të madh të regjistruara në Republikën e Kosovës?

Platforma ‘Bizneset e Hapura’, e krijuar nga organizata jo-qeveritare Open Data Kosovo përmes të dhënave të marra nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), ka bërë nxjerrjen dhe listimin e shumë formave të të dhënave që, të vëna në tabelë dhe në perspektivë dalin të dhëna interesante sa u përket bizneseve më të mëdha që operojnë edhe në Kosovë, por që shumica prej tyre janë të huaja.

Dega në Kosovë e kompanisë së linjave ajrore të Britanisë së Madhe, ‘British Airëays’, e regjistruar në Lipjan figuron në të dhënat e ARBK-së dhe të Bizneseve të Hapura si entiteti biznesor me kapitalin më të madh brenda Kosovës me 1 miliard e 200 milionë euro.

Edhe pse tashmë statusi i biznesit figuron si ‘i shuar’, kompania ajrore e dytë më e madhe në Britani – pas EasyJet – kishte regjistruar rreth 340 milionë euro kapital më shumë se sa kompania që renditet e dyta në këtë listë, Dega në Kosovë e kompanisë ndërtimore, Enka, që përbën një konsorcium bashkë me kompaninë turke, Bechtel, dhe ka fituar kontrata të mëdha për ndërtimin e disa projekteve rrugore në Kosovë.

Dega në Kosovë e kompanisë minerare Royal Mining Ltd zë vendin e tretë në këtë listë me kapital të regjistruar prej gati 330 milionë eurosh, kurse kapital fiks prej 300 milionë eurosh ka të deklaruar kompania Eurobank Kos Sh.A., kompania e parë në këtë listë që nuk është degë e një kompanie të jashtme.

Kapital të përafërt ka edhe kompania Ereniku (rreth 294 milionë euro), e cila është gjithashtu kompani e regjistruar në Gjakovë dhe si aktivitet ka të përmendur kultivimin e drithërave, bimëve bishtajore dhe farërave vajore.

Pesë kompanitë tjera të listuara në këtë listë janë Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës, Kulla-Exim, kompania Limak, Euroinsurance dhe Croatia Airlines – të gjitha me kapital që varion nga 260 milionë në 136 milionë euro.

Vlen të përmendet që në platformën e ARBK-së në internet dhe te Bizneset e Hapura, Posta dhe Telekomunikacioni i

Kosovës, si entitet i regjistruar biznesi, tashmë figuron me status të shuar.

(Ky artikull është publikuar si pjesë e projektit “Përmirësimi i praktikave të transparencës së qeverisë dhe të bizneseve nëpërmjet të dhënave të hapura” financuar nga Ambasada Amerikane dhe që implementohet nga Open Data Kosovo).

Ky artikull është prodhuar për Gazetën "Metro", ku edhe është publikuar fillimisht. Ripublikimi i këtij artikulli është bërë me lejen e Gazetës "Metro".

ARTIKULLI I PLOTË: https://gazetametro.net/10-bizneset-me-kapitalin-me-te-madh-ne-kosove/