Open Data Kosovo beson që hapja e të dhënave është esenciale në vendosjen e qeverisjes së mirë, transparente dhe llogaridhënëse. Të dhënat e hapura janë mënyrë fundamentale e pjesëmarrjes qytetare në vendimarrje. Për këtë arsye të dhënat që ofrohen nga institucionet qeveritare duhet të jenë publike, lehtësisht të qasshme, si dhe në formate të hapura.

Me datë 05-13-2016 Qeveria e Kosovës miratoi Kartën për Hapjen e të Dhënave në Republikën e Kosovës. Sipas këtij dokumenti Republika e Kosovës ka marrë zotim t’i përshtatet principit të hapjes së dhënave për të mirën publike. Ligji për qasje në dokumente publike është në fuqi dhe garanton qasje të lirë në këto informata. Sidoqoftë, kërkesës tonë për të pasur qasje në regjistrin e bizneseve, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i është përgjigjur pozitivisht, por duke kërkuar kompensim financiar, edhe për kopjet elektronike. Duke marr parasysh se pagesa për qasje në të dhënat zyrtare bie ndesh me Ligjin për qasje në dokumente publike dhe me Rregulloren nr.02/2012 për tarifat në qasje në dokumente publike, ODK nuk ka pranuar që të bëj një pagesë të tillë.

Për këtë arsye ne jemi të detyruar t’i gjenerojmë informatat nga webfaqja e ARBK-së duke bërë scraping.*

Qasja e limituar në të dhënat e kompanive është problem për të gjithë. Informatat e mbyllura të bizneseve krijojnë hapësirë për pastrim parash, korrupsion, keqpërdorim dhe krim të organizuar. Këto probleme e ndalojnë zhvillimin ekonomik lokalisht si dhe në shkallë globale. Pse duhet të jenë të hapura këto të dhëna:

  • Hapja e të dhënave biznesore lejon analiza ekonomike për sektorë si dhe aktivitete të ndryshme ekonomike.
  • Krijon hapësirë për analizimin e trendeve ekonomike në periudha dhe rajone të ndryshme.
  • Krijon hapësirë për analizë të tregut nga investitorët lokal dhe ndërkombëtar.
  • Duke i pasur këto të dhëna në dispozicion gjithashtu do të kontribojë në tërheqjen e investitorëve të huaj të cilët do të bënin investime të bazuara në të dhënat e bizneseve dhe në dëshmi statistikore.
  • Hapja e të dhënave mund të përdoret edhe si një mjet marketingu për bizneset. Kjo lejon kompanitë e mëdha nga bota apo kontraktorët e tjerë të kërkojnë kompaninë tuaj bazuar në: sektorin e kompanisë, madhësinë, vendndodhjen, përvojën, pronësinë etj.
  • Hapja e këtyre të dhënave biznesore do të mundësonte lidhjen e të dhënave me sektorë tjerë si prokurimi publik ose me deklarimin e pasurisë gjë që do të fuqizonte mekanizmat kundër korrupsionit.
  • Hapja e të dhënave biznesore do të ndikonte direkt në rritjen e vetëdijes së ndërmarrësve dhe të qytetarëve që të marrin vendime të bazuara në analiza faktike të të dhënave.

Duke ndjekur këto principe Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) duhet të përmirësojë dhe thjeshtëzojë qasjen në informatat biznesore në Kosovë.

Disa prej rekomandimeve në bazë të të cilave do të duhej ARBK të bëjë hapjen e të dhënave janë si vijojnë:

  1. Të dhënat e bizneseve, duke përjashtuar të dhënat sensitive personale, duhet të jenë publikisht të qasshme pa pagesë.
  2. Të dhënat e bizneseve duhet të jenë të përditësuara dhe të prezentuara në kohë reale.
  3. Të gjitha të dhënat duhet të jenë të kërkueshme. Për shembull, jo vetëm nga emri i biznesit ose numri i regjistrimit, por edhe nga emrat e pronarëve dhe personave të autorizuar.
  4. Emri i pronarëve dhe njerëzve të autorizuar duhet të jetë i shënuar në të dhënat e hapura dhe të mos konsiderohet si informatë personale. Kjo është e rëndësishme pasi që lejon të shohim ndërlidhjen me personat e ekspozuar politikisht (PEP).
  5. Të dhënat duhet të mundësojnë gjininë e personave që kanë biznese. Kjo do të lejojë që politikë-bërësit të bëjnë ndërhyrje për të promovuar barazinë gjinore në sektorin e zhvillimit të biznesit dhe sipërmarrjes.
  6. Të dhënat e publikuara për biznese duhet të jenë të përditësuara duke përfshirë datën e shuarjes së bizneseve, në mënyrë që të kemi një analizë se në cfarë periudhe shuhen këto biznese.
  7. Për të qenë të përdorueshme nga publiku të dhënat duhet të jenë të publikuara në format të hapur, që lexohen lehtë nga programet softuerike p.sh. CSV dhe JSON.
  8. Të dhënat duhet të lejojnë mundësi që të shkarkohen në tërësi, si dhe nën licensë të hapur që lejon përdorimin dhe ri-përdorimin nga publiku i gjerë. Psh, një shembull i licensës së hapur është: CC0 Creative Commons.
  9. Të dhënat duhet të formatohen, ruhen dhe vihen në dispozicion duke përdorur standardet ndërkombëtare të të dhënave. Në këtë rast është standardi i të dhënave të bizneseve OpenCorporates.

Open Data Kosovo është e gatshme për bashkëpunim në implementimin e principeve të të dhënave të hapura, për t’i ndihmuar institucionet që të arrijnë nivelin më të lartë të transparencës, që kontribon në të mirën e të gjithë vendit. Ne jemi gjithashtu të hapur të bashkëpunojmë me partnerë tjerë në zgjerimin e mëtutjeshëm të këtij projekti.


Lexoni më shume për lëminë e të dhënave të hapura:

Open Government Partnership


Open Knowledge International


OpenCorporates


* Web Scraping është një teknikë e përdorur për nxjerrjen automatike dhe në tërësi të sasive të mëdha të të dhënave nga faqet e internetit.